Lutja

Të besosh te lutja

 

Te lutja thelbësore është të besosh te pranimi i saj dhe të kesh besim. Njeriu nuk duhet thjesht të hapë vetëm duart, por ai duhet të hapë edhe zemrën. Fjalitë që thuhen në lutjet që bëhen pas namazit të sabahut dhe atij të ikindisë janë të pranishme në Mexhmuatu’l-Ahdhab;[1] vetëm se janë të regjistruara me shumë pak dallim. Atje thuhet: “Subhaneke ja Allah teal’lejte ja Rahman exhirna minen’nar bi’adedike, ja Muxhir.” Muxhir është një nga emrat e Allahut, vetëm se këtu mua më pëlqen më shumë fraza “bi’adedike ja Rahman”. Bediuzamani, duke qenë se e konsideronte tejet të rëndësishme këtë lutje, ia pati kushtuar atë namazit të sabahut dhe atij të ikindisë.

Gymyshhaneviu i nderuar ka folur gjerësisht në lidhje me virtytet e lutjeve që gjenden në Mexhmuatu’l-Ahdhab. Mirëpo gjërat që mund të duken paksa si të tepruara në pamje të parë, ato duhet të kuptohen brenda kornizave të përvijuara prej Bediuzamanit të nderuar. Me një fjalë, ajo gjendje ka të bëjë me atë që është duke e lexuar lutjen. Për shembull, kur thuhet, “kush e lexon këtë lutje, hyn në Xhenet”, ne mund ta kuptojmë se “kjo është një lutje që kushdo që e lexon atë duke besuar në të, që e lexon duke i dhënë zemrën, mund të fitojë Xhenetin.”[2] Edhe unë besoj se nëse njeriu e hap zemrën dhe sikur njëherë të vetme të thotë, Allah, me gjithë besimin e tij të plotë dhe ta lëshojë veten nga kati i dhjetë e përposhtë, copëtohet betoni dhe atij nuk i ndodh asgjë. Sidomos në këto ditë që bota islame është duke u kollitur gjak, ne duhet të lutemi sa të na plasë kraharori, aq shumë ka nevojë për diçka të tillë.

 

Lutja dhe dëshira për të adhuruar

 

Pyetje: Përgjithësisht, ata që janë në rrugën e atij që mund të quhet tjetërsoj si profesioni i sahabëve nuk janë në dijeni të lartësimit shpirtëror të tyre. Vetëm se disa arrijnë që të kenë një dëshirë të jashtëzakonshme për kryerjen e adhurimeve. Bëhen sikur të kenë diçka që i shtyn drejt adhurimit, tesbihatit, uirdeve dhe përmendjes së parreshtur të Allahut (xh.sh.). Cili është shpjegimi për këtë?

 

Përgjigje: Një gjendje e tillë, ashtu siç mund të jetë se me kalimin e kohës adhurimi është bërë një pjesë e pandarë e natyrës së njeriut që kryen vazhdimisht adhurime, mund të jetë edhe një zgjim dëshirë të posaçme për atë njeri, i një dëshire të fshehtë ndaj adhurimit. Në të dyja rastet kjo dëshirë është një mirësi e Allahut. Të mund të adhurosh Allahun është një mirësi e Tij; dëshira dhe interesi i ndjerë ndaj adhurimit janë një tjetër mirësi mbi mirësinë e adhurimit. Allahu i Madhërishëm, nganjëherë ia fal këtë mirësi ndonjë prej robërve të tij; e ai i sheh adhurimet si nevoja të tij të natyrshme, si një zakon të pandashëm të jetës. Pikërisht ky është shndërrimi i gjendjeve të mira të atij njeriu në dëshirë. Me këtë dëshirë ai thotë: “Pak është sado që të bëj unë.”

Sado adhurime të kryejë, sado të merret me uirde dhe me përmendje të Zotit, nëse tek ai ekziston ndjesia se ai nuk është bërë dot një rob i denjë i lidhur pas filozofisë “mua nuk më mjaftojnë fuqitë që të të lavdëroj ashtu siç e lavdëron Ti, o Zot, Qenien Tënde”, nëse e nënvlerëson çdo gjë që bën, atëherë kjo do të thotë se ai ka arritur një mirësi tejet të gjerë të Allahut. Për shembull, thotë njëmijë salavate në ditë, por në fund thotë; “O i Dërguar i Allahut! Unë nuk të bëra dot salavate aq sa ç’e meriton lartësia dhe vlera jote.” Nëse njeriu përmend njëmijë herë në ditë të Dërguarin e Allahut (pqmT) duke bërë salavate për të dhe lëvdon Allahun me tekbirin e thirrur gjatë ngadhënjimit të Mekës dhe mandej thotë edhe: “Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut, vetëm Ai është. Ai e përkrenoi ushtrinë dhe e ndihmoi robin e Tij, duke i nxjerrë një e nga një të humbur armiqtë e Tij.”[3]; dhe në fund arrin t’i kalojë përbrenda mendimi “Kjo nuk ishte e mjaftueshme. Është shumë pak dhe shumë turp, që unë të mjaftohem me kaq pak përpara Allahut.”[4] – kjo është një arritje tejet e madhe.

Besimtari që mjaftohet me ato që bën, beson dhe i kryen adhurimet e tij; megjithatë, kjo do të thotë se ai nuk e ka arritur dot këtë shkallë që sapo përmendëm. Domethënë, edhe sikur të falë njëmijë rekate në ditë, të mund të thuash “Unë nuk e shlyeva dot detyrimin tim karshi Zotit!”, apo “Unë nuk e kreva dot detyrën e falënderimit të Zotit ashtu siç e meriton Ai!” – përbën një lartësi të lartësive. Për të treguar më të përkryerën e kësaj, në një prej haditheve transmetohet:

O Zot që dihesh nga mbarë krijimi, ne nuk të njohëm e të ditëm dot siç e kërkon njohja Jote!”[5]

O Zot që vetëm Ty të bëhen adhurime, ne nuk t’u bëmë dot robër siç e kërkon robërimi ndaj Teje!”[6]

O Zot që falënderohesh nga çdo gjuhë, ne nuk të falënderuam dot siç e kërkon falënderimi Yt!” dhe “O Zot që të përmendet emri në Qiell e në Tokë, ne nuk të përmendëm dot siç e kërkon nami Yt!”, tregojnë pikërisht vetëdijen e veçanësisë “nuk e arritëm dot”, sipas kritereve dhe pjekurisë së ndërgjegjes.

Ashtu siç është tejet e rëndësishme që besimi të hedhë rrënjë në zemër, unë them vazhdimisht në lutjet e mia: “O Zot, që i ke nën kontroll e lëviz zemrat tona! Fiksoji e perçinosi zemrat tona duke i mbajtur ato të qëndrueshme në besim!” Në të vërtetë, Profeti ynë (pqmT) këtë e ka shprehur kryesisht në vetën e parë, O Zot, që e ke nën kontroll e lëviz zemrën Time! Fiksoje e perçinose zemrën Time duke e mbajtur atë të qëndrueshme në besim![7] – Në një vend tjetër më është shfaqur edhe në trajtën “kulubena”; por e famshme është forma e dytë që përmenda. Në një lutje tjetër unë them: “O Zot, që i ke nën kontroll e lëviz zemrat tona, ktheji zemra tona me dashurinë e adhurimit!” Kësaj ju mund t’i bëni edhe shtesa të tjera. Mund të thoni: “Drejtoji zemrat tona nga punë që të pëlqejnë Ty, o Zot, veçanërisht nga sinqeriteti!” Mund të thoni: “Drejtoji ato nga besimi dhe bindja e përkryer!” – Mund të thoni: “Drejtoji ato nga sjellja e butë dhe sjellja e menduar dhe e matur!” Këto kërkohen nga Allahu. Nëse për to këmbëngulet edhe me sjellje e veprime, Allahu ia fal njeriut dëshirën për të adhuruar, pavarësisht çdo gjëje e pavarësisht kafazit të trupores. Arrin në një gjendje të atillë njeriu që edhe një centimetër të ketë ecur mangët, vuan tejmase dhe e sheh si shumë të pakët çdo gjë që bën duke e konsideruar atë si shumë të vogël.

Po, ti do ta shprehësh robërinë tënde me sa të mundësh, por, në fund, të takon të thuash “nuk e thashë dot, nuk e arrita dot, nuk e bëra dot... Ku qëndrojnë mirësitë e pafundme të Zotit e ku qëndron përgjigjja ime me falënderim!” Kjo është ajo që na takon neve, të themi këto dhe t’i shprehim dëshirat tona në këtë drejtim.

 

Fatihaja është lutja më e bukur

 

Kur do të lexoj lutje, mbështetur edhe në një hadith të bekuar unë lexoj suren “Fatiha”, pastaj them: “Ja kjo Fatihaja është një shkak shërimi; Ti je Shëruesi, sepse vetëm Ti mund të japësh shërim. Nuk ka tjetër që mund të japë shërim përveç Teje e as nuk ka shërim tjetër pos shërimit Tënd. Ma hiq këtë sëmundje e jepi një ilaç vuajtjes sime. Falmë mua një shërim të atillë që të mos mbetet asnjë gjurmë sëmundjeje!

Po, Fatihaja është lutja më e bukur. Po e lexua me një zemër të sinqertë, ciladoqoftë sëmundja për të cilën lexohet, ajo bëhet shkak për shërimin, me lejen e Allahut. Megjithatë, dihet se një nga emrat e sures “Fatiha” është edhe “Shafije”. Veç këtij ajo ka edhe diku te njëzet emra të tjerë. Për shembull, duke qenë se leximi i saj në namaz përbën një domosdoshmëri, ajo quhet edhe si “Sureja e namazit”; duke qenë se është mëvetësisht e vetëmjaftueshme, “Uafije” dhe “Kafije”; duke qenë thelb dhe origjinë e të gjitha sureve të tjera njihet si “Ummu’l-Kitab” (Nëna e Librit) dhe “Kriter”.

Edhe ju, për t’u çliruar nga çdo vuajtje e vështirësi, lexojeni “Fatihanë” dhe thoni: “Ja, o Zot, kjo sure është Kafije – e vetëmjaftueshme. Me lejen dhe ndihmesën Tënde ajo mjafton për çdo shqetësim. Ti je i Mjaftueshëm. Më ndihmo mua për këto vuajtje e shqetësime për hir të kësaj sureje!”

 

 

 

[1] Mexhmuatu’l-Ahdhab, Vëllimi Shazili, fq. 333-336.

[2] Shih: Bediuzaman Said Nursi,

[3] Ebu Daud, dijat 17; Nesai, kasame 33-34; Ahmed bin Hanbel, El-Musned 3/410, 5/411.

[4] Muslim, salat 222; Tirmidhiu, daauat 75, 112; Ebu Daud, salat 147.

[5] El-Munavi, Fejzu’l-kadir 2/410; el-Alusi, Ruhu’l-meani 4/79, 17/202.

[6] Et-Taberani, el-Mu’xhemu’l-kebir 2/184; el-Hakim, el-Mustedrek 4/629.

[7] Tirmidhiu, kader 7; daauat 89, 124; ibni Maxhe, dua 2.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.